Kur pritet të shkojë në Kuvend projektligji për Trustin, tregon deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu

Mbi 21 mijë nënshkrime të qytetarëve më 15 korrik janë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.

Këto nënshkrime janë mbledhur për një arsye të vetme.

Përmes, tyre kërkohet që legjislativi të votojë pro projektligjit për tërheqjen e 30% të Trustit, shkruan Front Online.

Por, deri në momentin kur ky projektligj të jetë në dorën e deputetëve duhet të kalohen disa procedura.

Lidhur me këtë, për Front Online ka folur deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili edhe ka qenë nismëtar i iniciativës.

Haxhiu thotë se pas verifikimit të KQZ-së për nënshkrimet e qytetarëve, peticioni i Trustit do t’i dorëzohet deputetëve të kuvendit.

“Qytetarët i kanë dorëzuar nënshkrimet, janë 15 ditë sipas ligjit kur KQZ duhet ta bëjë verifikimin, e pas 15 ditëve kthehen në Kuvend dhe kryesia e ka obligim me e përcjell projektligjin për vendimin e Qeverisë dhe pas vendimit kthehet në Kuvend dhe iu përcillet deputetëve”, u shpreh Haxhiu.

Haxhiu thotë se kësaj radhe deputetët duhet të reflektojnë për votimin e këtij projektligji pasi qytetarët kanë nevojë për ndihmë.

Sipas deputetit të PDK-së, Qeveria në pushtet nuk ka iniciativë për ndalimin e krizës ekonomike.

“Do të duhej të reflektojnë deputet pasi qytetarët kanë grumbulluar brenda 8 ditëve mbi 21 mijë nënshkrime dhe me vetëdije dhe ndërgjegje do të duhej të votohet nga deputet. Duke parë që Qeveria nuk ka asnjë ndihmë dhe iniciativë për ndalimin e krizën ekonomike. Trusti duhet të kalojë kësaj radhe. Sa më parë të kalon projektligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti aq më mirë do të jetë për t’i ndihmuar qytetarët e vendit”, potencoi ai.

Më 23 qershor në Kuvend ishte rrëzuar nisma e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional.

Kundër këtij projektligji kanë votuar deputetët Lëvizjes Vetëvendosje.

Nga 102 deputetë në sallë, 44 patën votuar për, 57 kundër dhe 1 abstenim.