Kurti akuzohet se në Bruksel i shpalli “kriminelë” krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë

Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentit Thaçi i ka reaguar kryeministrit Kurti për deklaratën e mbrëmshme në Bruksel ku tha se në rajon ka ende kriminelë lufte që janë kryetarë partish.

Me anë të një postimi në Facebook, Behramaj ka akuzuar Kurtin se ai e ka pasur fjalën për krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

“Në mes të natës, Albin Kurti i paska shpallur kriminelë të luftës ish-udhëheqësit e UÇK-së. Ende pa filluar gjykimi i tyre në Hagë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët i kanë nga 3 dekada kontribut për lirinë tonë, Kurti si kryeministër i paska barazuar në Bruksel me shërbëtorët e regjimit të Millosheviqit. Kryeministër i kujt është ky?!”, ka shkruar Behramaj.

Tutje, ai ka thënë se Kurti ka konstatuar tërthorazi se Kosova ka kryer detyrimin për dërgimin e kriminelëve të luftës në burg.

Postimi i plotë i Behramajt:

Në mes të natës, Albin Kurti i paska shpallur kriminelë të luftës ish-udhëheqësit e UÇK-së. Ende pa filluar gjykimi i tyre në Hagë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët i kanë nga 3 dekada kontribut për lirinë tonë, Kurti si kryeministër i paska barazuar në Bruksel me shërbëtorët e regjimit të Millosheviqit. Kryeministër i kujt është ky?!

Ai paska konstatuar tërthorazi se Kosova e ka kryer detyrimin për dërgimin e kriminelëve të luftës në burg, ndonëse i paskan ngelur merak edhe disa kryetarë partish, sepse, sipas tij, edhe më tej paska kriminelë të luftës, që dominojnë në institucione dhe parti politike.

Albin Kurti po ballafaqohet me paaftësinë e tij si kryeministër dhe tash po mundohet të gjejë shpëtim aty ku ndjehet i pakonkurrencë: në sulmet e ulëta politike!

Edhe Prokurori i Specializuar është më i kujdesshëm se Kurti. Dorëheqja e tij do ta shpëtonte Kosovën nga turpërimi i mëtejmë në arenën ndërkombëtare!