Nora Gjakova kalon në gjysmëfinale

Xhudistja kosovare, Nora Gjakova, e ka fituar përballjen kundër xhudistes, nga Gjeorgjia, Eteri Liperteliani, në çerekfinale të Grand Prixit të Gjeorgjisë.

Në çerekfinale të kategorisë deri në 57 kilogramë, Nora Gjakova triumfoi ndaj Lipertelianit, duke e siguruar një vend në gjysmëfinale të kësaj gare.

Në përballjen e vlefshme për rundin e dytë të Grand Prixit të Gjeorgjisë, Nora Gjakova e mposhti me ippon xhudisten turke, Seyma Ozerler. Kosovarja e kaloi rrethin e parë pa luftë, raporton Gazeta Express.

Në gjysmëfinale, Gjakova do të përballet me xhudisten nga Holanda, Sanne Verhagen.

Në këtë garë, Kosovën po e përfaqësojnë kampionia e Evropës dhe sportistja më e mirë e Kosovës për vitin 2018 e zgjedhur nga Komiteti Olimpik i Kosovës, Nora Gjakova, si dhe kampionia e Evropës për U-23, Loriana Kuka.

Nora po garon sot në kategorinë e saj (deri në 57 kilogramë), ndërsa Loriana garon të dielën në kategorinë deri në 78 kilogramë.

Xhudistët e tjerë si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Akil Gjakova, do të pushojnë. Të pesë xhudistët kosovarë momentalisht kanë normat Olimpike Tokio 2020. Nora është e katërta në kategorinë e saj në renditjen Olimpike, ndërsa Loriana e 15-ta.