Kurti dhe Vuçiq pritet të nënshkruajnë një deklaratë në Bruksel

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 18 gusht në Bruksel dhe siç mëson “Nova”, në atë takim pritet të nënshkruhet edhe një deklaratë e përbashkët për zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur.

Sipas informacioneve të medias serbe, teksti i deklaratës është rënë dakord në masë të madhe dhe është momenti që deklarata të nënshkruhet, transmeton Demokracia.com.

Agjenda zyrtare e takimit të Kurti-Vuçiq nuk dihet ende për publikun. E përderisa pala serbe pret të diskutohet për problemin me kartat e identitetit dhe riregjistrimin e automjeteve me targa kosovare, e cila për pak sa nuk solli dhunë në Kosovë, Kurti në një deklaratë për media ka thënë se kjo është punë e kryer për qeverinë e Kosovës dhe se nga 1 shtatori fillon implementimi.

Siç mëson “Nova”, nënshkrimi i deklaratës për zbardhjen e personave të pagjetur mund të jetë në rendin e ditës në Bruksel dhe kjo duhet të paraqitet si një hap i madh përpara në marrëdhëniet mes dy palëve.

“Ajo deklaratë do të mbështeste procesin e gjetjes së personave të zhdukur dhe zgjidhjen e fateve të tyre. Ai dokument duhet të nënshkruhet nga Kurti dhe Vuçiq dhe të ketë jehonë në opinion. Teksti ka përfunduar dhe presim momentin për t’u firmosur”, thotë burimi i gazetës serbe.