Kurti emëroi dy serbë këshilltarë të tij, por njëri i ra pishman dha dorëheqje menjëherë

Sot emëroi dy këshilltarë politik nga komuniteti serb, por njëri prej tyre nuk po e pranon emërimin nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shkruan Insajderi.

Aleksandar Stankoviq dhe Nenad Rashiq u emëruan pasditen e së enjtes nga Kurti, por Stankoviq ka deklaruar se nuk do ta pranojë emërimin nga Kurti.

Ai ka thënë se “nuk dëshiron të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës, pasi që Lista Serbe nuk është pjesë e koalicionit me Vetëvendosjen e Kurtit”.

“Nuk do ta pranojë, refuzoj dhe tërhiqem. Kam menduar se do të marrë ndonjë pozitë tjetër dhe se do të jem i punësuar në administratë, e jo drejtpërdrejt në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Stankoviq për mediat serbe.

Ai ka konfirmuar se sot është emëruar këshilltar dhe atë me iniciativë personale të kryeministrit Kurtit, por ka theksuar se nuk do ta pranojë këtë pozitë, me arsyetimin se nuk është anëtar i asnjë partie, edhe pse e mbështetë Listën Serbe.

Stanokoviq ka shtuar se nuk ka asnjë lidhje me partinë e Nenad Rashiqit, të cilin për herë të parë e ka takuar sot, pasi që njëkohësisht ishin bashkë tek Kurti.