Kurti ftohet dëshmitar i mbrojtjes në rastin e serbit të dyshuar për krime lufte

Prokuroria Speciale e Kosovës e ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes së të dyshuarit për krime lufte, Dragisha Millenkovic, që kryeministri Albin Kurti të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit.

Avokati Dejan Vasic të martën e njoftoi zyrtarisht Kurtin, madje ia dorëzoi edhe pyetjet që planifikon t’ia parashtrojë.

Ndërsa i gjithë procesi, sipas tij, mund të zgjasë më pak se një orë.

“Meqë, prokuroria ka aprovuar kërkesën për dëgjim të kryeministrit Albin Kurti në cilësinë e dëshmitarit, sot e kam dorëzuar një kërkesë të re përmes së cilës e kam njoftuar kryeministrin që prokurori special e ka miratuar kërkesën që të ftohet si dëshmitar, dhe i kam lënë të dhënat e mia, nëse ka nevojë që unë të takohem me kryeministrin për përmbajtjen e dëshmisë së tij. I kam dorëzuar edhe pyetjet që për mua janë të rëndësishme për të marrë përgjigje nga dëshmitari, dhe mendoj që intervistimi do të mund të zgjasë rreth 15 minuta”, tha Vasic.

Avokati i të dyshuarit për krime lufte në burgun e Prishtinës dhe në atë të Lipjanit pret që Kurti t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për të dëshmuar rreth ngjarjeve që pretendon se lidhen me klientin e tij.

“Nuk kemi marrë përgjigje deri tash, ka qenë koha e pushimeve dhe me gjasë kryeministri nuk ka qenë në dispozicion, por pres të marrim përgjigje në këtë, pasi është çështje urgjente, ka të bëjë me çështjen e paraburgimit të të dyshuarit”, tha Vasic.

Sipas avokatit Dejan Vasic, Kurti si i burgosur në atë periudhë mund të dëshmojë për pafajësinë e Dragisha Millenkovicit, i cili u arrestua në qershor të këtij viti, dhe dyshohet se gjatë luftës, në cilësinë e personit zyrtar në burgun e Prishtinës dhe në atë të Lipjanit, ka kryer krime lufte ndaj popullatës civile.

Zyra e Kryeministrit nuk ka konfirmuar gjatë ditës se si do të veprojë kryeministri Kurti në këtë rast, i cili gjatë muajit kishte thënë për televizionin që për çdo kërkesë zyrtare, Prokuroria si dhe mbrojtja do të marrin përgjigje. /atv