Kurti hesht edhe për pezullimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike

Gjykata Themelore në Prishtinë ka pezulluar përkohësisht vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për shtrenjtim të energjisë elektrike. Ky vendim ka ardhur pasi Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kishte dërguar padi kundër tij.

Pas vendimit të gjykatës, PDK ka dalë në konferencë për medie, ku ka kërkuar që të respektohet masa e përkohshme dhe të pezullohet implementimi i vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike, shkruan Demokracia.com.

“Prandaj i bëjmë thirrje ZRRE-së, të gjithë akterve të cilët kanë qenë të angazhuar në shtrenjtimin e energjisë elektrike, Zyrës së Kryeministrit, kryeministrit Kurti, Zyrës së Presidentes dhe presidentes Osmani, LVV-së, të gjitha këtyre institucioneve të cilat kanë qenë të angazhuara në shtrenjtimin e energjisë elektrike, të respektojnë vendimin e gjykatës në pezullimin e vendimit të ZRRE-së. Ne, pra krahas kërkesës sonë për ta anuluar këtë vendim të ZRRE-së, po ashtu kemi kërkuar që deri sa të vjen koha që ky vendim të anulohet, të merret një masë e përkohshme dhe të pezullohet implementimi i vendimit”, ka thënë Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të Kosovës në të cilën diskutohej për propozimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës kishte thënë se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë ka qenë aq i lirë, saqë një numër i madh i qytetarëve nuk e kanë ditur as sa paguajnë për rrymë, përcjell Demokracia.com.

“Kurrë nuk ka pasur numër më të madh të qytetarëve të Republikës së Kosovës sesa në këto katër vitet e fundit që nuk e dinë sa paguajnë për energji elektrike. Aq lirë ka qenë, saqë nuk e kanë ditur as sa paguajnë. Në historinë e Kosovës, numër më të madh të qytetarëve që nuk e kanë ditur sa e kanë faturën, nuk ka pasur. Nuk po them që shumica janë të tillë, por numër më të madh nuk ka pasur”, kishte thënë Kurti.

Ndërsa, pas vendimit të gjykatës, si zakonisht kryeministri Kurti sërish ka heshtur dhe nuk e ka thënë asnjë fjalë.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative në konfliktin administrativ të paditëses-propozueses Partia Demokratike e Kosovës kundër të paditurës-kundërpropozueses ZRRE me seli në Prishtinë, për shkak të anulimit të vendimit Nr.077/22 të datës 09.02.2022, i publikuar me datë 16.02.2022 me propozim për shtyrjen e ekzekutimit të të njëjtit, jashtë seancës me datë 08.04.2022 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses-propozueses PDK-së. Shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022, i publikuar me datë 16.02.2022 të paditurës ZRRE me seli në Prishtinë, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditëses”, thuhet në njoftim e Gjykatës, përcjell Demokracia.com.

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, kishte thënë se tarifat e reja të energjisë elektrike për personat që shpenzojnë më shumë se 800 kWh energji elektrike në muaj kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt të këtij viti.