Kurti i reagon gjyqësorit pas pezullimit të vendimit për pagat: Po del shumë efikas për vetveten

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është pezulluar vendimit i Qeverisë për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.

Pas vizitës në Hendikos në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, para medieve, Kurti ttha se nuk merret me vendimet e gjyqësorit, por se sipas tij, kur vije puna për vetveten, gjyqësori del të jetë shumë efikas dhe i shpejtë, për dallim prej lëndëve të panumërta që po presin në sirtarët e Pallatit të Drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ne nuk mund të merremi me vendimet të cilat i bënë gjyqësori, por më duhet të konstatoj me keqardhje që kur vije puna për vetvete po dalin të jenë shumë efikas, për dallim prej lëndëve të panumërta që janë pluhurosur në sirtarët e Pallatit të Drejtësisë, që lëngojnë aty e nuk trajtohen as me kohë e as siç duhet. Pra, është për të ardhur keq që shpejtësinë dhe efikasitetin po dëshmojë atëherë kur kanë interes vetë, interes të ngushtë“, tha kryeministri.

Më tej, ai tha se kur njerëzit mësohen me privilegje heqja e tyre u duket padrejtësi, por sipas tij kjo nuk është padrejtësi, por se privilegjet kanë qenë të padrejta.

“Pagat në sektorin publik në përgjithësi do të rregullohet me këto dy ligje të reja të cilët tashmë kanë shkuar në Kuvend për lexim të parë është ligji mbi Pagat dhe Zyrtarët Publik andaj është e domosdoshme që të gjithë të përqendrohemi tek këto dy ligje të reja e të mos kërkoj askush zgjidhje të privilegjuar. Bindja ime e fuqishme nga ajo çfarë po ndodh këto ditë me grevën e gjyqtarëve dhe prokurorëve është se kur njerëzit mësohen me privilegje heqja e tyre u duket padrejtësi, por kjo nuk do të thotë se është padrejtësi, do të thotë se privilegjet kanë qenë të padrejta”, tha Kurti.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, pas pranimit të padisë nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, e ka aprovuar masën e përkohshme për pezullimin e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave për gjykatësit dhe prokurorët.