Kurti kërkon ndihmë nga opozita për dialogun: Nuk i kemi borxh askujt, na kanë borxh shumëçka

0
107

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po raporton në Kuvendin e Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë.

Kurti foli për disa nga marrëveshjet e arritura më herët, për të cilat pati shumë kritika, shkruan lajmi.net.

“Dokumenti fillon me paraqitjen e kornizave në të cilat ka filluar procesi i dialogut. Pastaj listohen marrëveshjet e arritura në fazën e dialogut të quajtur teknik, dhe në atë politik. Gjatë këtyre dy fazave janë nënshkruar një sër dokumentesh që jo-domosdoshmërisht burojnë nga rëndësia e dokumentit apo fushës që rregullon”, ka thënë ai.

“Për këto dokumente janë përdorur terma të ndryshme, si marrëveshje, konkluzione, aranzhime, protokolle dhe të ngjashme. Numri i marrëveshjeve varion nga 15 deri në 53”, tha ai.

Ai thotë se në raporte cekej se është arritur shuarja e strukturave paralele dhe institucioneve tjera ilegale.

“Në raportin e vitit 2016 për dialog, konkludohej se është arritur shuarja e strukturave paralele, shuarja e zyrave për dhënien e dokumenteve ilegale etj”, tha Kurti.

“Te marrëveshja për Asociacionin, thuhej që nuk ka karakter një-etnik dhe do bëhej sipas Kushtetutës. Për të njëjtën marrëveshje pretendohej se i janë dhënë fund ndërtimeve pa leje në veri dhe ndarjes së Mitrovicës. Është me rëndësi të theksohet se pala serbe në vazhdimësi ka minuar përpjekjet e përbashkëta”, tha tutje kryeministri Kurti.

Me këtë rast, Kurti kërkoi konsensus nga opozita, për çka tha se sipas tij ka kryer veprimet që është dashur.

“Është e rëndësishme që të ndërtojmë konsensus për këtë çështje. Ne po raportojmë në Kuvend e Komisione ende pa filluar dialogu. Unë kam ftuar liderët e opozitës. Qasjen tonë ndaj dialogut e dini sepse e kam përsëritur disa herë. Pranimi i realitetit të një Kosove të pavarur, barazia e përfaqësuesve dhe qytetarëve dhe pranimi i krimeve në Kosovë janë parimet kryesor. Nuk i kemi borxh askujt, por na kanë borxh shumëçka”, ka thënë tutje ai.