Kurti kundërshton marrëveshjen me SHBA-të duke sulmuar opozitën: Po më duhet të merrem me ju

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur kritikave të opozitës për qasjen ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit.

Ai ka thënë se para se të bëhej nënshkrimi i kësaj marrëveshje nga kryeministri i kaluar, duhet të kujtohet se çfarë ka ndodhur para këtij nënshkrimi.

“Mos harroni se në fillim të dekadës së parë të këtij shekulli, pati qenë kryeministri i ndjerë serb i cili ishte ftuar në Shtëpinë e Bardhë, kryeministër ky që ishte vrarë më vonë dhe prej atëherë askujt nga Serbia nuk i është hapur dera e Shtëpisë së Bardhë. Ndërsa për këtë marrëveshje iu hap dera presidentit serb, Aleksandër Vuçiq”, ka thënë Kurti, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se Qeveria është duke shqyrtuar raportin për Ujmanin, duke thënë se po mblidhen sa më shumë argumente për të nxjerr një raport.

Kurti ka thënë se opozita duhet të kuptojë që tashmë ka një Qeveri të re.

“Ajo çfarë më brengos më së shumti është mos-reflektimi mbi tri datat më të rëndësishme të këtij viti. 14 shkurt, 22 mars dhe 4 prilli. Ende nuk po e kuptoni se çfarë ka ndodhur në këto data, pra është një hidhërim i pakuptueshëm që të vazhdojnë sulmet ndaj Qeverisë sonë. Ne jemi patriot dhe demokrat e ashtu dëshirojnë edhe aleatët tanë. Mos harroni që duke u munduar të mbroni Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga unë, duke mos pasur mundësi të dukeni tragjik, po dukeni qesharak”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se SHBA-të vështirë se i rrezikon dikush në botë, andaj nuk rrezikohen as nga Kurti.

“Dua të ju them që punët me të cilat duhet të merrem unë, merrem unë. Normalisht që do të merrem ndonjëherë edhe me të kaluarën, sepse po më duhet të merrem me ju”, ka thënë Kurti.

Kujtojmë se Qeveria Kurti deri më tani janë deklaruar kundër zotimeve që janë arritur mes Kosovës e Serbisë me Marrëveshjen e Uashingtonit që ishte nënshkruar nga kryeministri i kaluar, Avdullah Hoti.