Kurti për sulmet ndaj policëve në veri: Iu takon organeve të rendit të zbardhin rrethanat

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, duke e komentuar rastin e sulmit ndaj policëve në veri të Kosovës, ka thënë që u takon organeve të rendit të zbardhin rrethanat.

Kurti tha që e kanë ashpër këtë sulm terrorist në të cilin policët “patën fat që shpëtuan”.

“Është Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, ajo që i bën analizat dhe studimet, edhe të shkaqeve edhe rrethanave të këtyre sulmeve të pjesëtarëve tonë të policisë. Ne e kemi dënuar ashpër këtë sulm, i cili ishte sulm terrorist meqë me plumba dhe granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë, të cilën patën fat që në veturat e tyre pësuan vetëm dëme materiale”, tha Kurti.

Tutje Kurti tha që organet e rendit do të vlerësojnë se çka duhet të ndërmarrin, në mënyrë që të pamundësohen sulme të tilla.

“Iu takon organeve të rendit që të bëjnë hetimet mbi ata që sulmuan për të zbardhur rastin, por edhe për të vlerësuar situatën e sigurisë. Këto janë sulme mbi policët dhe që kanë pasë për qëllim të vrasin, por fatmirësisht nuk kemi pasë dëme në njerëz dhe asnjë pjesëtar i policisë nuk është lënduar. Por, me strukturat ilegale të Serbisë, me krimin e organizuar kurrë nuk do të ketë asnjë gramë tolerancë nga qeveria dhe shteti i Kosovës”.