Kurti përgatitet për zgjedhje të reja, mbanë mbledhje online me qendrat e VV-së

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se është mbajtur mbledhja e të gjitha Qendrave të kësaj organizate, në të cilën mori pjesë edhe kryeministri i vendit, njëherit kryetari i partisë, Albin Kurti.

“Në këtë mbledhje të drejtuar nga Vlora Haxhimehmedi, Kryetari Kurti njoftoi përfaqësuesit e qendrave të Lëvizjes me vendimet që ka marrë qeveria për ta luftuar koronavirusin dhe për masat e ndërmarra dhe ato që parashihen të ndermirën për të ndihmuar bizneset, punëtorët dhe ata që kanë më së shumti nevojë. Kryetari po ashtu foli edhe për shkarkimet e bordeve dhe zyrtarëve institucional që janë bërë muajt e kaluar, për mocionin e votëbesimit javës që shkoi, dhe për hapat e ardhshëm që ne si organizatë e si struktura duhet t’i ndërmarrim si në aspektin shoqërorë të kujdesit e solidaritetit gjatë konfrontimit të pandemisë ashtu edhe në aspektin politik të situatës së krijuar pas mocionit”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Lëvizja VETËVENDOSJE! gëzon mbështetjen më të madhe që e ka pasur ndonjëherë.

Deri sa krejt në fund ata flasin edhe për zgjedhje, për të cilat sipas tyre janë afër.

“Prandaj, meqenëse zgjedhjet janë afër është detyrë e secilit prej nesh të punoj që të rritet organizata jonë. Legjitimiteti buron nga zgjedhjet. Zgjedhjet e fundit i ka fituar Lëvizja jonë e jo partitë e tjera. Nuk mund e nuk do ta lejojmë të vidhet vota për ndryshim. Deri atëherë, kujdes të shtuar e qëndrim të mbarë nëpër shtëpi”.