Kurti: Peticioni mënyra e duhur për zgjedhjet në veri, BE t’i largojë sanskionet sa më parë

Mënyra më e duhur për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri është peticioni, thotë kryeministri Albin Kurti.

Ai thekson se vetëm kur 20 për qind e trupit elektoral shprehin vullnetin për t’ia ndërprerë mandatin kryetarëve aktual, jepen dëshmi se nuk mund të ketë bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo kandidim.Kurti për KosovaPress thotë se po punojnë që sa më shpejtë të bëhet rregullimi i çështjeve teknike dhe administrative për zgjedhjet e reja në veri.

“Sa i përket zgjedhjeve të reja të parakohshme, ne qysh nga fillimi kemi thënë se nuk jemi të kënaqur me daljen e qytetarëve në zgjedhjet më 23 prill të këtij viti dhe me ato çfarë mësuan si përqindje me 24 prill të nesërmen. Andaj kemi ofruar mundësinë që të kemi zgjedhje të parakohshme, por natyrisht dëshirojmë të mos na përsëritet situata, në të cilën sërish do të kemi bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo si kandidim.

Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktual”, thotë Kurti.