Kurti: Protestat janë të pashmangshme, ato do të jenë paqësore

Ish-kryeministri dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se duhet të mbahen zgjedhje në Kosovë për shkak se sipas tij është një hendek i madh në legjitimitet, i cili nuk mund të rrëzohet me asgjë tjetër, përveçse me zgjedhje të reja.

“Ne duhet të mbajmë zgjedhje edhe në Kosovë në përgjithësi, por gjithashtu edhe në Llap, në Besianë, në veriun e Mitrovicës, për komunën veriore të Mitrovicës. Duhet të mbajmë zgjedhje, pra në përgjithësi, në mbarë Kosovën, për shkak se ekziston një hendek i madh në legjitimitet, i cili nuk mund të rrëzohet me asgjë tjetër, përveçse me zgjedhje të reja. Dy të tretat, së paku dy të tretat janë në opozitë. Ndërkohë që kreu i qeverisë së paligjshme ka diç më shumë se një të shtatën e votave të kryeparlamentares [Vjosa Osmani]”.

Kurti deklaroi Qeverinë e sapo formuar si LVV si opozitë do ta sfidojë me protesta.

“Protestat janë të pashmangshme, protestat do të jenë paqësore dhe ne jemi partia më e madhe në Kosovë. Jemi partia e parë në Kosovë, jemi subjekti politik kryesor e më i fuqishëm në Republikën e Kosovës. Andaj, mendoj se me një qeveri të këtillë të dobët, një opozitë kaq e fuqishme që përbëhet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ndokush tjetër, duke e theksuar këtu në veçanti kryeparlamentaren Osmani, padyshim se i ka të gjitha mjetet e duhura për rezultatin e nevojshëm – e këto janë zgjedhjet e reja dhe shkurtimi i jetës së qeverisë së paligjshme”.

“Ne i kemi forumet dhe organet tona, si: kryesia e Lëvizjes, grupi parlamentar, këshilli i përgjithshëm, qendrat e Vetëvendosjes, dhe bashkë me to, në kohën e duhur, për çështjet e duhura, i marrim vendimet, të cilat janë të drejta e të nevojshme. Unë besoj që shumë shpejt do të vijmë deri te protestat. Ne nuk kemi dashur të bëjmë protestë kur ishte në pyetje pushteti ose qeveria, por për çështjet për të cilat ekzistojmë si subjekt politik. Ato janë të pashmangshme”, ka thënë Kurti në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.