Për katër muaj, katër njerëz të afërt të Kurtit në pranga

Muajt e fundit kanë treguar se as zyrtarët e Lëvizja Vetëvendosje nuk janë imun ndaj korrupsionit dhe veprave tjera të kundërligjshme. Nga 19 prilli e deri me tani institucionet e drejtësisë kanë vendosur nën pranga disa njerëz të afër të kryeministrit Albin Kurti.

Nagip Krasniqi, Faruk Mujka, Besnik Mujeci dhe Ridvan Muharremi janë personat që janë arrestuar brenda kësaj kohe nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe trafikim të drogës.

I fundit që është arrestuar është Ridvan Muharremi, pronari i restorantit “Bukë e Zemër”, i cili është mik i ngushtë i kryeministrit Albin Kurti.

Muarremi është arrestuar në dyshimin e veprës penale “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Ish-aktivistët e VV-së kanë bërë me dije se Muharremi ka raporte të afërta me Kurtin.

Frashër Krasniqi, ish-deputet i VV-së, ka treguar lidhjet e afërta të kryeministrit Albin Kurti me Ridvan Muharremin.

Përmes një video të postuar në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka thënë se në restorantin e tij Muharremi kishte krijua hyrje speciale për Kurtin.

“Ata që e njohin më mirë Albin Kurti, ai ka qenë gjithmonë njeri paranojak. Për me shku Albin Kurti me hangër për ditë e me nejtë si në shtëpi të veten në një restorant, Albin Kurti është dashtë me i besu shumë qatij personi. Dhe qaq shumë i ka besu sa që ky Ridi ia kish pasë maru edhe një lift speciale, hymje speciale Albin Kurtit në atë restorant. Krejt diplomatët e huaj që kanë ardhë në Kosovë i ka cu të Ridvan Muharremi”, ka thënë Krasniqi.

Po këtë javë, policia e Shqipërisë ka arrestuar për drogë asamblistin e VV-së në Prishtinë, Besnik Mujeci, i cili më pas është përjashtuar nga partia.

Ai se bashku me katër persona tjerë është kapur me mbi 11 mijë doza ekstazi në Tiranë.

Pas arrestimit, Mujecit i janë publikuar disa fotot me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Arrestimi i Krasniqit dhe Mujkës
Muajin e kaluar, organet e drejtësisë kanë prangosur edhe kryeshefin ekzekutiv të Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka.

Ish-kryetari i degës së VV-së në Mitrovicë, është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Dyshimet e prokurorisë janë se Mujka veprën e ka kryer sa ka qenë nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, e cila asokohe udhëhiqej nga Agim Bahtiri i VV-së.

Më herët, Mujka ka mbajtur edhe pozitën nënkryetarit të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së.

Pas disave javëve në arrest, Ujkani është liruar të mbrohet në liri.