Kurti: Serbët në veri mund të ngritin barrikada dhe të sulmojnë Policinë përsëri

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka lavdëruar aksionin e djeshëm të policisë me ç’rast u shkatërruan tre laboratorë të drogës në veri të vendit.

Megjithatë ai ka shtuar se bandat kriminale të sponsorizuara nga Beogradi nuk do të ndalen për t’i mbrojtur ndërmarrjet e tyre të paligjshme, qoftë kjo edhe me ngritjen e barrikadave të armatosura.

“Policia e Kosovës ka shkatërruar dje 3 laboratorë ilegalë të drogës në veri të Kosovës, një fitore e qartë për sundimin e ligjit. Bandat kriminale të sponsorizuara nga Serbia nuk do të ndalen para asgjëje – duke përfshirë barrikadat e armatosura dhe sulmet e dhunshme ndaj policisë – për të mbrojtur ndërmarrjet e tyre të paligjshme. Ata do të dështojnë”, ka shkruar ai në Twitter.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për operacionin “Shpata” që u zhvillua dje, që u realizua në tri lokacione në rajonin e Mitrovicës së Veriut.