Kurti: Ushtrinë e forcojmë për ta mbrojtur veten, jo për t’i sulmuar të tjerët

Në Qendrën për Studime Universitare të Forces së Sigurisë së Kosovës (FSK) është mbajtur ceremonia e diplomimit të gjeneratës së klasës 2023 të kadetëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalimin e tij ka uruar kadetët e diplomuar, duke shprehur bindjen e tij, se dija gjatë shkollimit do të vendoset në shërbim të vendit.

“Diplomimi i sotëm nga Qendra Akademike Ushtarake na jep shpresë për të ardhmen dhe na bënë krenar për të kaluarën. Na kthen prapa në kohë në vitin 2009, të gjenerata e parë e FSK-së e diplomuar në këtë qendër por na kthen prapa edhe në vitin 1999 të gjenerata e parë e diplomuar të UÇK-së”, u shpreh ai.

Kryeministri ka thënën tutje se “ushtria jonë vazhdon të zhvillohet e të modernizohet duke kaluar nëpër etapa të tranzicionit, nuk kemi rresht së ndërtuar sistem të qëndrueshëm ushtarak”.

“Qendra për Studime Universitare e FSK-së ka ndërtuar imazhin e një institucioni të një edukimi ushtarak që nxjerr oficere që shkëlqejnë në edukimin pasues”, tha ai.

Kurti tha se FSK është e hapur për të gjithë të rinjtë, deri në moshën 25 vjeç.

“Ne nuk e forcojmë ushtrinë për të sulmuar të tjerët, por për të qenë mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur vetveten. Për një Kosovë më të drejtë, më të barabartë për të gjithë”, shtoi tutje kryeministri.