Kush do të jetë kryetari i ardhshëm i Vushtrrisë, PDK pritet ta kandidojë juristin Albanez Tahiraj?

Ka mbetur rreth një vit deri në përfundim të mandatit të kryetarit aktual në Komunën e Vushtrrisë, por si duket Partia Demokratike e Kosovës është mjaftë e interesuar për t’u rikthyer në pushtet. Tashmë nga radhët e PDK-së kanë filluar të qarkullojnë emra të ndryshëm, të cilët do të mund ta sfidojnë Xhafer Tahirin, në zgjedhjet e ardhshme.

Albanez Tahiraj është një nga kandidatët në garën e brendshme nga Partia Demokratike e Kosovës, për pozitën e të parit të Vushtrrisë, mëson Veriu.info.

“Kandidatura e z. Albanez Tahiraj, na bën të besojmë se PDK-ja, kësaj here do të reflektojë ndaj kërkesave të anëtarësisë së gjerë, por edhe ndaj kërkesës së qytetarëve të Vushtrrisë, për një gjeneratë të re politike, me kulturë institucionale.

Z. Tahiraj që aktualisht është zyrtar i lartë ligjor në Komunën e Vushtrrisë, ka përvojë të gjatë institucionale dhe politike. Për shtatë vite me radhë ka qenë kryetar i Rinisë Demokratike, dega në Vushtrri, njëkohësisht anëtar i kryesisë së PDK-së, anëtar i KKZ-së për pesë palë zgjedhje, si përfaqësues i PDK-së, dhe për rreth 10 vjet shërben si zyrtar i lartë ligjor në komunë.

Z. Tahiraj njihet si një zyrtar shumë i përgatitur profesionalisht, i përpiktë në punë, i afërt me zyrtarët komunalë dhe me qytetarët”, thotë një zyrtar i lartë i degës së PDK-së për Veriu.info, pa dashur t’i përmendet emri.

Ndonëse përflitet se kësaj gare i kanë hyrë edhe kandidatë të tjerë nga PDK-ja, siç janë: Xhevahire Izmaku, Ferit Idrizi, Ilmi Azemi e të tjerë, burime të Veriu.info bëjnë të ditur se Albanez Tahiraj tashmë është në pritje të konfirmimit për nominimin e tij si kandidat për kryetar komune nga radhët e PDK-së.