Kushtetuesja: Albin Kurti shkarkoi kundërligjshëm 5 anëtarët e KPMSHCK-së

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka cilësuar si të jashtligjshëm shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Kushtetuesja e ka vlerësuar të pranueshme kërkesën e deputetit Abelard Tahiri dhe 10 deputetëve të tjerë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij vendimi, shkruan lajmi.net.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën KO 127/21, të parashtruar nga Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-029], të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar të Kuvendit, Gjykata njëzëri vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.08/V-029] i 30 qershorit 2021 i Kuvendit nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës; (iii) të shfuqizojë Vendimin e lartcekur; (iv) të shfuqizojë Masën e Përkohshme të përcaktuar përmes Vendimit të Gjykatës, të 21 tetorit 2021; dhe (v) të refuzojë kërkesën për seancë dëgjimore.”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.