Kushtetuta është e qartë, lejon edhe Qeveri tjetër

Albert Krasniqi nga Democracy Plus ka reaguar në lidhje me interpretimet kushtetuese tash pas rrëzimit të Qeverisë. Qeveria e Kurtit insiston në zgjedhje të reja, por nga presidenca e krahu tjetër thonë se mund të ketë edhe qeveri tjetër.

Sipas Krasniqit, Kushtetuta në këtë rast është e qartë dhe lejon që të ketë Qeveri tjetër, pa shkuar në zgjedhje. Dhe kjo sipas tij, duke ndjekur procedurat e njëjta nga fillimi. Pra, të dorëzojë mandatin partisë së parë nga zgjedhjet e fundit, shkruan Reporteri.net

Tutje Krasniqi thekson se opsioni i dytë, shpërndarja e Kuvendit do duhej të ndodhte vetëm nëse ka mungesë të shumicës parlamentare për të formuar Qeverinë.

“Thirrja në precedent për shpërndarje të Kuvendin pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj qeverisë, do të kishte kuptim sikur Kushtetua nuk do të kishte dispozita mjaftueshëm të qarta se si mund të veprohet në këso raste. Kushtetuta jonë është e qartë dhe jep opsione: i) nisjen e procedurave nga fillimi për zgjedhjen e qeverisë së re ose ii) shpërndarjen e Kuvendit.Opsioni i dytë do të duhej të ishte vetëm si rezultat i mungesës së shumicës parlamentare për të formuar qeverinë e re, apo, nëse ky është vullnet politik i 2/3-së së deputetëve të cilët do të votonin për shpërndarjen e Kuvendit”, ka shkruar Krasniqi.