Ky është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Brigadën 128 në Zonën Operative të Pashtrikut, Mehmet Sulaj nga Prizreni, është i ftuari i radhës nga dhomat e specializuara të Gjykatës Speciale.

Mehmet Sulaj, ish-pjesëtar i UÇK-së, tashti veteran i luftës, i cili jeton në Prizren, është ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për t’u paraqitur më 27 shtator, në cilësinë e dëshmitarit.

Ftesa për t’u paraqitur në dhomat e specializuara është dërguar në shtëpinë e tij të martën, ka bërë të ditur për KosovaPress-in, biri i tij, Bekim Sulaj, i cili theksoi se në ftesë i bëhet e pamundur babait të tij të flasë për mediat para paraqitjes në gjykatë.

Mehmet Sulaj ka punuar si arsimtar shumëvjeçar i gjuhës shqipe në disa shkolla në rajonin e Prizrenit, ndërsa, gjatë kohës së luftës ai ka kontribuuar edhe duke e lëshuar një shtëpi në pronësi të tij për Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prizren.

Në korrik të këtij viti, Specialja ftoi edhe ish-zëvendëskomandantin e Zonës Operative të Pashtrikut, Avdi Ibrahimi, po ashtu nga Prizreni, i cili do të paraqitet atje më 2 tetor.