Ky është prizrenasi që u kap me mbi 19 kg marihuanë, vlera e drogës rreth 40 mijë euro

Aksioni i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë i zhvilluar sot në Prizren ka rezultuar me sekuestrimin e mbi 19 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe arrestimin e një personi të dyshuar.

Droga u gjet në shtëpinë e tij ku është kryer bastisja, teksa i njëjti është prangosur dhe tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor. Sinjali ka mësuar identitetin e të dyshuarit, i cili do të hetohet për shitblerje dhe shpërndarje të narkotikëve.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari që u kap me më shumë se 19 kilogramë marihuanë është A. Q., 39-vjeçar, i cili ka qenë objekt hetimi nën dyshimet se merrej me drogë.

Në shtëpinë e tij është kryer kontroll në mesditë, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata, me ç’rast janë gjetur dhe konfiskuar 19 kg e 546 gr drogë, që siç mëson Sinjali kap vlerën e rreth 40 mijë euro.

Ndaj tij është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.