Lajçak konfirmon: Në Bruksel u diskutua për pretendimet financiare dhe pronësore

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka postuar fotografi me negociatorët Skender Hyseni dhe Marko Gjuriq nga takimi i sotëm në Bruksel.

Miroslav Lajçak nëpërmjet një postimi në Twitter ka thënë se atje është diskutuar për pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore, shkruan lajmi.net.

“Sapo përfunduam bisedimet e sotme me kryenegociatorët Marko Gjuriq dhe Skender Hyseni mbi pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore. Diskutimet tona konfirmuar kompleksitetin dhe ndjeshmërinë e çështjes. Do të vazhdojë”, ka shkruar Lajcak.

Gjatë ditës së djeshme ka pasur zëra në qarkullim se në takimin e sotëm në Bruskel do të ketë diskutime edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Madje, edhe shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq i cili sot ishte përballë bashkërenduesit të Kosovës për dialogun, Skënder Hyseni i ka replikuar të dërguarit të BE-së për dialogun duke i thënë se atje do të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sot Koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni tha se në takim nuk është diskutuar për Asociacionin edhe pse delegacioni serb ka bërë përpjekje që kjo temë të hapet.