Lajçak sot pret në takim Bislimin e Petkoviqin, pritet arritja e një marrëveshjeje

Sot do mbahet takimi i radhës i kyrenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia, ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Nikoqir i takimit është përfaqësuesi i veçantë i BE-së për dialog Miroslav Lajҫak, ndërkohë çështja e energjetikës do jetë fokus i diskutimeve gjatë ditës së marte.

“Me 21 qershor, i dërguari i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak, do të jetë mikpritës i një raundi tjetër të takimeve në kuadër të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve” tha Peter Stano, zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

Ai ka thënë se “takimi do të fokusohet në finalizimin e një udhërrëfyesi i cili do të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes për energji të vitit 2013-të dhe 2015-të si dhe në çështjet e tjera, përfshi edhe përgatitjet për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë”.

Që nga kriza e shtatorit në veri të Kosovës, kryenegociatorët, Besnik Bislimi nga Prishtina dhe Petar Petkoviq nga Beogradi janë takuar vetëm një herë, më 21 prill, kur dështoi arritja e marrëveshjes për target e automjeteve.

Sipas zyrtarëve evropian, energjetika dhe çështja e të pagjeturve janë dy tema ku palët i kanë përafruar qëndrimet.