LAJMI I FUNDIT: Kadri Veseli ftohet nga Gjykata Speciale

Kadri Veseli merr ftesë nga Specialja

Këtë ai e ka bërë të ditur përmes një konference për media.

Kadri Veseli njoftoi se do t’i përgjigjet kësaj ftese më 4 dhjetor, ashtu siç edhe kërkon Gjykata e Hagës.

Ai tha se do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese. “Gjithë jetën kam qenë i angazhuar për të mirën e Kosovës dhe këtë e kam bërë tërësisht në baza vullnetare dhe me përkushtimin më të lartë.

E kam nisur si fëmijë, si nxënës i shkollës fillore në Mitrovicë, me demonstratat e prillit të vitit 1981, si pjesëmarrës, e pastaj në shumicën prej tyre edhe si organizator dhe drejtues.

Nga mesi i viteve ’80, unë kam hyrë me ideal në organizatat patriotike, anti-jugosllave, për ta kundërshtuar robërinë dhe për të punuar për lirinë. Kam qenë i bekuar që isha një ndër ideatorët dhe themeluesit e saj, luftëtar i lirisë deri në çlirimin e vendit”, tha Veseli në konferencë para gazetarëve.

Fjalimi i plotë i Kadri Veselit:

“Përshëndetje të gjithëve! Si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë sot kam pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara, për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë.

Ashtu siç jam zotuar, se në momentin që do ta kisha një ftesë të tillë, unë do ta bëja publike.

Gjenerata ime, si shumë gjenerata të tjera, ka përjetuar shtypjen e rëndë të kombit tonë. Ne nuk jemi pajtuar me atë gjendje, dhe unë jam krenar që i jam përgjigjur thirrjes së vendit për lirinë e kombit.”