Latifi tregon se ku do të shkojnë 1 milion e 644 mijë euro, që i fitoi Rahoveci nga Granti i Performancës

Në mesin e komunave të cilat kanë fituar Grantin për këtë vit është edhe Rahoveci.

Sipas kryetarit të kësaj komune, Smajl Latifi vlera e këtij granti është 1 milion e 644 mijë euro.

Latifi tha se si komunë i kanë plotësuar kriteret për të fituar Grantin dhe se këtë fitore ia dedikon qytetarëve.

“Në bazë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Granti është në vlerë prej 1 milion e 644 mijë e 744 euro. Ne edhe me raportin e performancës komunale kemi dalë mirë le të themi të parët, por edhe me Grantin e Performancës e kemi plotësu kriteret. Do të thotë se kjo është një fitore e qytetarëve të Komunës së Rahovecit, në këtë rast mirënjohje për ekipin që unë e drejtoj, ekipin politik edhe grupin punues për performancë që e kemi në grup që kryen punën me ndershmëri dhe koordinatorë për performance”, tha ai.

Ai falënderoi edhe donatorët për Grant, me ç’rast shpreson se do të mundësojë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Natyrisht mirënjohje edhe për të gjithë shërbyesit civil që i kemi ne në komunë, punonjësit e komunës e mirënjohje dhe falënderim për donatorët që janë… Besoj që ky Grant është i fituar me meritë dhe me përkushtim edhe do të mundësojë rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë sepse do të shpërndahet nëpër projekte të cilat do janë kërkesa nevoja dhe prioritete të komunës. Qytetarët e komunës sonë janë punëtorë dhe të zellshëm por edhe ekipi që qeverisë me komunën është i pandalshëm, i palodhur dhe i përkushtuar me i realizu zotimet publike dhe me i mbrojt interesin publik dhe me i realizu interesat të cilat janë të dobishme të nevojshme dhe ndikojnë në jetën cilësinë dhe mirëqenien e qytetarëve”, tha Latifi./EO