LDK i reagon Qeverisë: Në opozitë rrëzonin kamionet që vinin nga Serbia, tani në pushtet mirëpresin materialin ndërtimor

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi që Qeveria ka larguar masën mbrojtëse për materialet ndërtimore nga Serbia.

LDK thotë në një reagim se në kohën kur ishte në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje i rrëzonte kamionët që vinin nga Serbia, ndërsa tani në pushtet po e mirëpret materialin ndërtimor dhe po i heq barrierat që i kishin vendosur qeveritë paraprake.

Sipas LDK-së ky vendim është i papranueshëm dhe që qeveria është dashur më herët të bëjë këtë hetim.

“Është i papranueshëm, nëse jo dhe qesharak, arsyetimi i Qeverisë se afati i vendimit të vitit 2016 ka skaduar dhe se do të bëjnë një hetim tjetër për të vendosur prapë këtë masë. Pse Qeveria dhe ministria nuk e bënë këtë hetim më herët  dhe mandej ta marrin vendimin. Kanë pushtet absolut në Qeveri dhe shumicë në Kuvend. Kanë fuqinë politike dhe numrat e mjaftueshëm të nxjerrin vendime të reja që mbrojnë prodhuesit vendor dhe, nëse është nevoja, të ndryshojnë ligje në Kuvend”.

LDK me anë të një komunikate ka thënë poashtu se “Qeveria kërkon guxim dhe që fjalët dhe poshtërimet nuk ju bëjnë tashmë në pushtet”.

“Ato që i kanë pasur me bollëk kur ishin në opozitë, fjalët e shumta e të zbrazëta, linçimet dhe poshtërimet nuk ju shërbejnë tani në pushtet. Qeverisja kërkon dije, që nuk e kanë; kërkon guxim, që nuk po e gjejnë; kërkon kreativitet, që nuk po dinë as çka është. Ndërsa çmimin e patriotizmit bosh të tyre, ku me fjalë shajnë e poshtërojnë partitë tjera e me vendime përqafojnë prodhimet serbe, do e paguajnë prodhuesit kosovar dhe qytetarët tanë”, thuhet në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.