LDK-ja merr kryesimin e Kuvendit Komunal në Gjilan, Hyseni: Mjerimi nuk ka kufi

Pas prishjes së koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, kryesimin e Kuvendit Komunal të Gjilanit e ka marrë LDK.

LDK-ja në Gjilan ka njoftuar se Kushtrim Kadriu është zgjedhur kryesues i ri i Kuvendit Komunal të premten. Sipas LDK-së, prishja e koalicionit mes VV-së dhe PDK-së i dha mundësinë atyre të bëhen shumicë dhe ta marrin kryesimin e Kuvendit Komunal.

Pas këtyre zhvillimeve ka reaguar kryetari i Gjilanit nga VV-ja, Alban Hyseni. Hyseni ka vlerësuar se “kasta e vjetër kleptokraste e zhvatëse zgjodhën për kryesues një asambleist që ka një grusht votash”.

Madje, ai pretendon se Kadriu është dënuar para pak kohe nga Gjykata.
“Për interesa të përbashkëta e për punë të ndyta mund të bëhen bashkë. Tash, kur kanë shumicën në Kuvendin Komunal, nuk kanë guximin që të dalin para qytetarit duke kryesuar edhe asamblenë por struken pas satelitëve që pak vite më parë i kishin kundërshtarët më të mëdhenj. Është tejet zhgënjyese të shohësh, të veprosh e jetosh me nivelin e politikës së vendit tonë.

Por, prapëseprapë, kjo ngjarje e shumë të tjera, për ne, që jetojmë për ndryshim, që frymojmë ndryshe, që punojmë ndryshe duhet të jetë dhe është motiv shtesë për të vazhduar rrugën drejt synimeve tona”, ka shkruar Hyseni në Facebook.