LDK shkon nesër në takim: Asociacioni kompetencë e Qeverisë, s’marrim përgjegjësi

Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se nesër do të jetë pjesëmarrëse në takimin për Asociacionin.

Kjo parti, me anë të një komunikate për media ka treguar qëndrimin që do të shpalos aty, duke bërë të ditur se mbështet dialogun, me përfshirjen e SHBA-ve në të.

Sa i përket Asoacionit, LDK thotë se kjo është kompetencë e Qeverisë dhe s’ka pse t’i marrë opozita kompetencat e shumicës.

“Në lidhje me Asociacionin, LDK-ja vlerëson se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë. Kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese nuk kanë alternativë, prandaj LDK-ja, në rolin e saj opozitar, s’ka se si t’i ushtrojë ato. Opozita nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e shumicës dhe as të Qeverisë së kësaj shumice. Prandaj pjesëmarrja e institucioneve shtetërore në këtë proces është domosdoshmëri e pazëvendësueshme”, bën të ditur LDK.

Postimi i plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës është ftuar nga ambasadori i SHBA-së, që të marrë pjesë në takimin e nesërm, në të cilin do të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në këtë takim, do të konfirmojë edhe njëherë mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së. Orientimet e LDK-së për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, dhe me njohjen reciproke në thelb të saj, mbesin të pandryshueshme.

Në lidhje me Asociacionin, LDK-ja vlerëson se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë. Kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese nuk kanë alternativë, prandaj LDK-ja, në rolin e saj opozitar, s’ka se si t’i ushtrojë ato. Opozita nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e shumicës dhe as të Qeverisë së kësaj shumice. Prandaj pjesëmarrja e institucioneve shtetërore në këtë proces është domosdoshmëri e pazëvendësueshme.

LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos fshihet prapa akuzave populiste ndaj opozitës, por të ushtrojë përgjegjësitë e saja si shumicë dhe të trajtojë këtë çështje në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe në koordinim të ngushtë me aleatët tanë.