Lekaj: Mbi 64 deputetë do ta votojnë Qeverinë Hoti

Pal Lekaj i AAK’së është i bindur se do të formohet qeveria e re me në krye Avdullah Hotin. AAK pretendon të jetë në qeverinë e udhëhequr nga Hoti i LDK’së dhe në bashkëpunim me Nismën dhe komunitetet.

Nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të mundësojë formimin e një qeverie të re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK’së, Kosova do të bëhet me qeveri të re.

Kështu thotë Pal Lekaj i AAK’së i cili është i bindur se i kanë votat për kalimin e qeverisë në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk kemi problem me numra, kemi numra mjaft. Kemi deputetë që janë të gatshëm të votojnë qeverinë në ardhje (të partive të tjera)…të cilët do të votojnë qeverinë nëse na mungojë votat”, thotë Lekaj në emisionin ‘DPT te Fidani’ në T7.

“Nuk e them nga cili subjekt por kjo qeveri do të votohet me 50 +1”, shton ai, duke mos treguar nëse kanë siguruar votat e ndonjë deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës ose Vetëvendosje.

“Jam i sigurt, sepse janë mbi 64 deputetë që do ta votojnë qeverinë e Avdullah Hotit”, thekson ai.

Më 30 prill presidenti Hashim Thaçi dekretoi Avdullah Hotin e LDK’së për kryeministër të Kosovës. Sipas dekretit të nënshkruar nga presidenti, Hoti iu propozua Kuvendit të Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Kosovës.

Por të njëjtën ditë Lëvizja Vetëvendosje e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese dekretin që presidenti Thaçi e ka nxjerrë për ta mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.

Pas kësaj Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi masën e përkohshme me të cilën pezullohet zbatimi i dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë së Kosovës.