Letra e Biden drejtuar Osmanit: Kompromise me Serbinë për njohjen reciproke

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden në letrën drejtuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit deklaron se e mbështet vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi i cili duhet të përqendrohet në njohje reciproke.

Ai ka përmendur se duhet bërë kompromise në këtë proces.

“SHBA-ja do të vazhdojnë t’i mbështesë përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Bidenit dërguar presidentes Osmani.

Presidenti Biden ka përmendur marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve dhe partneritetin e gjatë të rrënjosur në vlerat e përbashkëta, duke përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën.

Në këtë kontekst, presidenti amerikan ka përmendur të birin e tij Beau, i cili ka shërbyer në Kosovën në kuadër të forcave paqeruajtëse amerikane, siç thuhet në letër për “avancimin e paqes, si dhe sundimit të rendit e ligjit”.

Më tej në letër, presidenti Biden ka theksuar se do të punojë me presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë COVID-19, zhvillimin ekonomik, si dhe sigurimin e së ardhmes së qëndrueshme energjetike.

Presidenti Biden i është përgjigjur edhe kërkesës së presidentes Osmani që SHBA-ja të ndihmojnë me vaksina, duke u bazuar në letrën e saj të 19 marsit.

Presidenti Biden ka theksuar se me shtimin e sasisë së vaksinave SHBA-ja do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë.