Lideri suprem i Iranit qan para arkivolit të Soleimanit

0
275

Lideri supreme i Iranit, Ali Khamenei, është parë duke qarë gjatë ceremonisë së nderimit të trupit të pajetë të gjeneralit të vrarë, Qassem Soleimani.

Komandanti i forcave Kuds u vra përmes një sulmi me dron nga forcat amerikane javën e kaluar në Bagdad.

Qasem Soleimani ishte gjeneral i lartë në Trupat e Rojeve Revolucionare të Iranit dhe nga viti 1998 ishte komandant i forcave Kuds, të cilat janë kryesisht përgjegjëse për operacionet e jashtme dhe klandestine.

Ai e kishte filluar karrierën ushtarake në luftën mes Iranit dhe Irakut në vitet e tetëdhjeta, kur kishte shërbyer si komandant i Divizionit të 41-të. Më vonë, ai u angazhua në operacione të jashtme, duke ofruar ndihmë ushtarake për Hezbollahun në Liban.

Në vitin 2012, Soleimani i ofroi ndihmë edhe qeverisë së diktatorit sirian, Bashar Al Assad, i cili është aleat i rëndësishëm i Iranit. Ai dha asistencë edhe për forcat shiite në Irak, të përkrahura nga Tehrani.

Soleimani u vra nga një sulm me dron nga forcat amerikane më 3 janar, përderisa ishte duke udhëtuar me një veturë afër aeroportit të Bagdadit. Përpos tij, në këtë sulm mbetën të vrarë edhe disa pjesëtarë irakianë të Forcave Popullore të Mobilizimit. Në pozitën e tij tashmë është emëruar gjenerali Esmail Ghaani.

Vrasja e tij i ka shtuar tensionet në Lindjen e Mesme. Irani është zotuar se do të hakmerret kundër Shteteve të Bashkuara, ndërsa deputetët e Irakut e kanë miratuar rezolutën me të cilën kërkohet largimi i trupave amerikane nga vendi, shkruan “Associated Press”.