Ligji i ri i Gjermanisë, rrezik për ekonominë e Kosovës

Në shtator të këtij viti bëhen 6 muaj prej kur ka hyrë në fuqi ligji gjerman për migrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Ky ligj kërkon që çdo qytetar që dëshiron të pajiset me vizë pune gjermane duhet të jetë i kualifikuar, të ketë diplomë universitare apo edhe arsim profesional së paku dyvjeçar.

E sipas ekspertëve vendës, ikja e punëtorëve të kualifikuar në Gjermani do të ndikonte jashtëzakonisht keq në tregun e punës dhe në ekonominë e vendit.

Por, Blend Hyseni nga Instituti GAP, thotë se nuk ka rrezik për së paku edhe dy vjetët e ardhshëm që fuqia punëtore e Kosovës të migrojë në Gjermani, për shkak të ndikimit të pandemisë në ekonominë globale.

“Për dy vjetët e ardhshëm nuk shoh kërcënim për fuqinë punëtore të Kosovës nga asnjëra prej mënyrave për shkak se të gjitha vendet e botës, përfshirë edhe Gjermaninë po përballen me rënie të prodhimit dhe realisht nuk kërkohet më një numër i punëtorëve aq shumë sa është kërkuar përpara, dhe kjo do ta lehtësojë pak a shumë barrën për migrim”, ka thënë Hyseni.

Megjithatë, jo të gjitha fushat e fuqisë punëtore do të mbeten të parrezikuara gjatë periudhës së pandemisë. Hyseni theksoi se personeli shëndetësor dhe profesionistët e fushës së IT-së janë më të kërkuarit në këtë situatë nga të gjitha vendet e botës.

Ndërsa, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se situata ekonomike e Kosovës është jostabile dhe e njëjta ka gjeneruar frikë te fuqia punëtore për të ardhmen. Sipas tij, tash me ligjin për migrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar, Kosova rrezikon të mbesë pa profesionistë.

“Në të ardhmen problemi më i madh për sektorin privat në Kosovë do të jetë fuqia punëtore. Të kualifikuarit janë duke u larguar nga Kosova dhe kjo do ta rëndojë edhe më tepër situatën e sektorit privat, dhe nuk dua të besoj që do të jemi dëshmitarë të asaj që falë kësaj ikjeje masive në Kosovë, do të kemi nevojë për të importuar fuqi punëtore nga vendet e rajonit dhe më gjerë”, ka thënë ai.

Migrimi i fuqisë punëtore të Kosovës drejt Gjermanisë pa kualifikim profesional, ishte i rregulluar me rregullën e Ballkanit Perëndimor, e cila do të vlejë vetëm deri në fund të këtij viti. Kësisoj, nga viti 2021, çdo qytetar që kërkon të pajiset me vizë pune gjermane, fillimisht duhet t’i plotësojë kushtet e kualifikimit profesional.