Limaj: 14 shkurti do të jetë vulë e zërit çlirimtar të Kosovës

282

Nisma Socialdemokrate ka përmbyllur fushatën, në Prizren ku ka kërkuar mbështetje për kauzën “në mbrojtje të vlerave njerëzore dhe kombëtare”.

Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Fatmir Limaj, ka thënë se shteti nuk bëhet me tradita të “synetisë”, gjë me të cilën ka përshkruar fushatën e Albin Kurtit e Vjosa Osmanit.

Ndërkaq, ai bën thirrje për kujdes nga premtimet e të tjerëve, e nga ata që sipas tij po e bëjnë veten “pejgamber”.

“E pash Vjosen e Albinin si me qenë në syneti. Po shkojnë nëpër lagje e rrugë, si tradita e synetisë. Shteti nuk është syneti, shteti është diçka më shumë. Kujdes nga ata që kanë premtime plot, kujdes nga ata që vetën e bëjmë pejgamber. Ata që shohin vetëm terr para vitit 2019, ata mohojnë atë që ka ndodhur në luftë. E unë them, drita për Kosovën ka ardhur në qershor të vitit 1999 dhe dritë i kanë dhënë vetëm ata që dhënë jetën për këtë vend. Ata janë dritë e pashuar”, tha ai.

Limaj i ka bërë thirrje bashkëluftëtarëve që të votojnë për të.

“A do shkoni prapa me ata që kanë ndarë e ndje dhimbjen me ju apo ne, ata që e mohojnë gjenocidin në Kosovë? Ju ftojmë hajde të rreshtohemi si në vitin 98-99. Ashtu siç po rreshtohen bashkëluftëtaret tanë nga anët tjera të Kosovës. Luftëtarët janë ngritë në këmbë që zëri i çlirimtarëve të dëgjohet fort në Parlamentin e Kosovës. S’ka gjë më të fortë se me ta qitë në krye një person që s’e doni. Prandaj shokë të luftës ju e keni njeriun që ua do zemra, është numri 121.”, tha Limaj.

Zafir Berisha nga Nisma tha se dialogun nuk mund ta zgjidhin “shokët e Titos me shamia të kuqe, apo ata që mohojnë gjenocidin serb”, krahasime që përkojnë me Kurtin i cili ditë më parë ka vendosur shami të kuqe në vend dhe Enver Hoxhaj i PDK-së për të cilën së fundmi e akuzuar për mohim gjenocidi.

“Problem kryesor tash e 20 vite është dialogu me Serbinë. Këtë mund ta bëjnë vetëm çlirimtarët por jo edhe shokët e Titos me shamia të kuqe, apo ata që e mohojnë gjenocidin serb në Kosovë”, tha Berisha.

E Bilall Sherifi tha se është koha të ndëshkohen ata që mohojnë gjenocidin serb.

“Të gjithë atyre që e mohojnë gjenocidin është koha më 14 shkurt të ndëshkojmë të gjithë ata që mohojnë gjenocidin serb në Kosovë. Ju bëj thirrje gjithë atyre çlirimtarëve që vrapojnë pas atyre që mohojnë gjenocidin serb, duke ju thënë se partia nuk është gjithçka, kombi është gjithçka”, tha Sherifi derisa i ka kërkuar Hoxhajt që të kërkoj falje publike.