Limaj nga Gjilani: Kujdes mos e lini Kosovën në duar të pasigurta

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka takuar sot qytetarët e Gjilanit, të cilëve u ka bërë thirrje që të kenë kujdes në duar të kujt e lënë vendin. Ai tha se Kosova sot është në një udhëkryq të madh dhe duhet të tregohet kujdes.

Limaj u shpreh se premtimet e liderëve partiakë për ekonominë janë pallavra, derisa tha se qeveria e ardhshme do të krijohet për dialogun me Serbinë.

“Kosova është në një udhëkryq të madh, kujdes mos e lini Kosovën në duar të pasigurta, kujdes mos e lini Kosovën në duart e njerëzve të cilët rrugës kanë treguar jo qëndrueshmëri, jo devotshmëri. Kujdes mos e lini Kosovën në duart e atyre të cilët e lënë Kosovën vet dhe ikin prej saj. E ju do ta shihini në dy vitet e ardhshme, tri qeveri janë rrëzuar për shkak të dialogut, krejt çka ju flasin për ekonomi janë pallavra dhe qeveria që do të krijohet është për dialog, si mundësi për t’i hapur perspektivë vendit”, tha Limaj.

Njoftimi i plotë:

Sot, në Anamoravë filluam edhe zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit, ku prezantuam edhe kandidatët tanë për deputetë nga Gjilani, Vitia, Kllokoti dhe Kamenica.

Kryetari Limaj në këtë takim tha se përgjigja më e mirë ndaj atyre që tentojnë ta zbehin, zhbëjnë të kaluarën tonë të lavdishme është ky besim i jashtëzakonshëm që po na japin bashkëluftëtarë e qytetarë në Anamoravë dhe anekënd Kosovës.

Kosova nuk lihet në duart e atyre që e lënë Kosovën të vetme duke ju ikur përgjegjësivë.

Ftesa jonë ishte që zëri çlirimtarë të jetë në Kuvend për mos të lejuar që rrugetimi i shtetndërtimit të vendit tonë të shkojë në kahje të gabuar ka thënë ndër të tjera kryetari Limaj.

Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi tha se është për keqardhje që një kandidat për kryeministër gjenocidin e okupatorit serb gjatë luftës së fundit në Kosovë e quan përpjekje, prandaj ai nuk duhet të votohet sepse ai po e mohon të vërtetën e të kaluarës sonë.

Ai ka bërë thirrje që Anamorva të votojë çlirimtarët e 121-it dhe mos votoni ata që në çdo etapë të rendësishme për vendin kanë mbajtur krah të gabuar.