Limaj për ish-krerët e UÇK-së në Hagë: E trishtueshme, e pamerituar – shpresoj që në përvjetorin e ardhshëm të Pavarësisë t’i kemi këtu

Më 17 Shkurt, Kosova feston ditëlindjen e saj të 16-të.

Për këtë ditë u derdh shumë gjak e u bën shumë sakrifica.

Qytetarët e Kosovës pas shumë vite nga lufta, mezi e pritnin aktin historik.

Dhe erdhi ai moment.

Në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte prezantuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.

Për emocionet, sakrificën e gjithçka tjetër deri në ardhjen e kësaj dite për Front Online ka folur njëri prej udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj.

Ai me shumë emocione thotë se dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka qenë ëndërr e kamotshme për të gjithë.

“Për të gjithë qytetarët është një ndjenjë e veçantë , një ëndërr e kamotshme shumë shekullore me shumë sakrifica, dekada e dekada dhe ne sot jemi në realit, në realitetin e shtetit të Kosovës. Ne më nuk jemi qytetarë të pazot, por jemi shtetas të vendit tonë, shtetit tonë, atdheut tonë . Kështu që për mua është një ditë e jashtëzakonshme”, është shprehur Limaj, për Front Online

Koordinimi për shpalljen e Pavarësisë, Limaj: Kemi bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtar

Njëri ndër udhëheqësit më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani kryetar i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj derisa ka kujtuar periudhën e shpalljes së Pavarësisë, ka thënë për Front Online se kjo ditë e ka historinë e vet.

Dhe, krejt kjo nga një bashkëpunim i ngushtë me komunitetin ndërkombëtar.

“Natyrisht shpallja e pavarësisë së Kosovës e ka historinë e vet të një bashkëpunimi të ngushtë të forcave politike dhe komunitetit ndërkombëtar, kemi bashkëvepruar për të ardhë deri te një finale me partnerët dhe miqtë tonë ndërkombëtar . Kanë qenë situata shumë të vështira, delikate por me një pjekuri të jashtëzakonshme dhe me një angazhim të përbashkët kemi ardhë deri në finalen e shpalljes së pavarësisë”, ka treguar Limaj.

Por Limaj, thotë se ato momente kanë qenë të sikletshme.

Nga vet se siç pohon ai, është dashtë të kihet parasysh edhe situata e sigurisë në vend.

“Ato momente kanë qenë momente gogja të sikletshme për faktin se siç e dini ka qenë dashtë me pas parasysh çështjen e sigurisë për shumë rreziqe, mënyrën se si do të përmbyllet, reagimet e të gjitha këto, por ka qenë organizim perfekt, normalisht edhe me ndihmën e miqve tonë, kështu që ka shkuar me një plan të jashtëzakonshëm, pa asnjë telashe, pa asnjë problem sa i përket sigurisë”, ka shtuar ai.

Limaj: Ka pasur paralajmërime për kërcënime në ditën e shpalljes së Pavarësisë

Në ditën e 17 shkurtit të vitit 2008 kur edhe u shpall Pavarësia e Kosovës, kishte dhe paralajmërime për kërcënime.

Por, se Kosova ka marrë të gjitha masat që mos të ndodhë as edhe një incident më i vogël.

Kështu, thotë ish –udhëheqësi i UÇK-së, Fatmir Limaj për Front Online.

Por, ai është falënderues ndaj siç thotë djemve të gardës së Kosovës që kanë kontribuuar për situatën e sigurisë.

“Ka qenë një masë e madhe e njerëzve e djemve tonë të cilët në ditën e shpalljes së pavarësisë kur krejt Kosova ka festuar djemtë tonë e gardës së Kosovës ata që e mbajnë sigurinë kanë qenë në krye të detyrës. Natyrisht që ka pas paralajmërime, natyrisht që ka pas shqetësime të tilla, por kemi marrë të gjitha masat paraprake me kujdes, me pjekuri, pa zhurmë dhe pa eufori, me shumë qetësi”, ka deklaruar Limaj.

E, pikërisht për shkak të kësaj, Limaj tregon se nuk e kanë bërë publike edhe datën e shpalljes së pavarësisë.

“Siç e dini ju ne nuk e kemi publikuar edhe datën e shpalljes së Pavarësisë, dhe çdo gjë ka shkuar me hapa të sigurtë sepse objektivi jonë ka qenë Kosovën me shpallë shtet dhe çdo gjë ka qenë sipas planifikimit”, ka shtuar ndër të tjera Fatmir Limaj.

“E kam ditur shumë më herët datën e shpalljes së Pavarësisë/ Limaj: E kemi mbajtë fshehtë për arsye sigurie

Ish-udhëheqësi i UÇK-së, Fatmir Limaj ka treguar për Front Online se datën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës e ka ditur shumë më herët.

Por, thotë se janë marrë vesh me ndërkombëtaret që mos ta bënin publike për shkak të situatës së sigurisë.

“Ka qenë një kohë shumë e gjatë që ne e kemi ditur datën dhe ashtu e kemi mbajtur sekret, pa mundem me thënë të mbyllur për arsye të sigurisë jo për ndonjë gjë tjetër. Pra, ashtu siç jemi marrë vesh me partnerët tonë ashtu ka funksionuar”, është shprehur Limaj.

Sipas tij, mbajtja fshehtë e datës për të nuk ka qenë aspak e lehtë.

“Nuk ka qenë aspak e lehtë me mbajt fshehtë datën, ka qenë shumë e vështirë, por në situata të tilla kur kemi një temë që është shumë e madhe, e rëndësishme për vendin dhe është një lloj sekreti shtetëror atëherë e kemi mbajtë fshehtë”, ka treguar Limaj.

“E mbaj mend përqafimin me nënën e babain”/ Limaj kujton momentin e veçantë në ditën e shpalljes së Pavarësisë

Fatmir Limaj ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës e kujton me shumë emocion.

Thotë se përqafimi me nënën dhe babain e tij i kujtohet më së shumti.

Pa lën anash edhe shumë burra që siç ai, dhanë jetën pikërisht për këtë ditë.

Pohon se edhe ata i ka kujtuar.

“Emocion, pra shumë emocione. Më kujtohet fillimi, vuajtjet, sakrifica, përqafimi me nënën me babën, kujtimi i të gjithë atyre burrave që nuk janë më e që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës. Këto kanë qenë emocione të veçanta. Edhe krejt ka qenë gjithçka emocion, deri në momentin kur e kemi nënshkruar. Një ëndërr e bërë realitet”, thotë Limaj, për Front Online.

Limaj: Shpresoj që përvjetorin tjetër të pavarësisë ata që janë në Hagë do të kthehen në Kosovë

16 vjet më parë po ndodhte ajo që shqiptarët e prisnin me shekuj, ngjarja më e rëndësishme për popullin që prej çlirimit të vendit më 1999.

Kosova po shpallej shtet i pavarur.

Atë kohë drejtonin institucionet kryesore në vend, Fatmir Sejdiu president i Kosovës, Jakup Krasniqi kryetar i Kuvendit dhe Hashim Thaçi kryeministër.

Këta dy të fundit, as edhe këtë përvjetor të pavarësisë nuk gjenden në Kosovë.

Ndërsa, ky është viti i katërt që Kosova feston ditëlindjen e saj pa Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, por edhe pa ish luftëtarët e tjerë të cilët gjenden në Hagë.

Ish-bashkëluftëtari i tyre, Fatmir Limaj, pa dashur të flasë më shumë për këtë çështje, thotë se kjo që po ndodhë është e trishtueshme.

Por shpreson që në përvjetorin e ardhshëm të pavarësisë të gjithë ish-bashkëluftëtarët do të jenë në Kosovë

“E trishtueshme, e dhimbshme, e pa merituar. Por shpresoj që vitin tjetër do t’i kemi këtu”, ka deklaruar Limaj.

Fatmir Limaj, ka folur edhe për atë se si po e sheh shtetin e Kosovës në këtë 16-vjetor të pavarësisë dhe a është ai për të cilin Limaj e kishte ëndërruar.

“Po për mua po është. Në shtet investohet, mirëmbahet dhe punohet, duhet ta meritojmë çdo ditë këtë shtet, ta ndërtojmë e ta zhvillojmë. Shteti nuk është një kallëp, ai është i gjallë dhe duhet çdo ditë të investohet në të për ta forcuar”, ka deklaruar ndër të tjera Fatmir Limaj.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova fillon të njihet nga vendet që e kanë mbështetur planin Marti Ahtisari.

Aktualisht shtetin e Kosovës deri më tani e kanë njohur 117 shtete.

Kjo shifër është e publikuar në ëebfaqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Shteti i fundit që ka njohur pavarësinë e Kosovës është ai i Izraelit në shkurt të vitit 2021.