Liria vs Vushtrria, sot zhvillohet ndeshja e barazhit

Dy skuadra janë të vendosura për t’u kthyer në Superligë, por është vetëm një biletë për në elitën e futbollit kosovar.

Liria do të luftojë me Vushtrrinë në ndeshjen e barazhit, të shtunën.

Liria si e dyta e Grupit A të ligës së parë dhe Vushtrria si e dyta e Grupit B, do të luftojnë që të shkojnë në finalen e barazhit, ku do të përballen me skuadrën që renditet në pozitën e tetë të Superligës.

Kapitenët e këtyre dy skuadra për Shqip.com kanë folur për ndeshjen më të rëndësishme të stinorit.

Kapiteni i Lirisë, Robert Gjeraj, pret një përballje të vështirë të shtunën.

“Pres që do të jetë një ndeshje e vështirë sepse është vetëm një ndeshje dhe do të luhet me kujdes nga dy ekipet. Si ekip jemi përgatitur shumë për këtë ndeshje, duke filluar prej kryesisë, shtabit teknik, lojtarëve dhe qytetit së bashku me tifozët”.

Ai tutje shton se kjo është një nga ndeshjet më të rëndësishme.

“Për mua është ndeshje e veçantë sepse është moment historik që ta rikthejmë Lirinëne Superligë, pasi që unë jam në fund te karrierës. Mesazhi im është që të vijnë sa më shumë shikues në stadium dhe ne do ta japim maksimumin që të arrijmë synimet që i kemi”.

Nga ana tjetër, kapiteni i Vushtrrisë, Labinot Osmani, ka thënë se skuadra e tij është e gatshme për fitore.

“Në ndeshjen e së shtunës presim një lojë të fort nga të dy ekipet dhe shpresojmë që në fund të dalim fitues ne. Jemi munduar të përgatitemi maksimalisht për ndeshje dhe do të bëjmë maksimumin e mundshëm për fitore”.

No photo description available.
Osmani për Shqip.com ka thënë se kjo do të jetë një përballje e veçantë.

“Sigurisht që është një ndeshje më e veçantë dhe me e rëndësishme ne dallim me ndeshjet e kampionatit. Shpresoj në një ndeshje të bukur dhe në fund të jemi ne qe do t’i gëzohemi fitores”.

Takimi zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 15:00, në stadiumin “17 Qershori” në Klinë.

Liria garat e rregullta i përfundoi me 13 fitore, shtatë barazime dhe shtatë humbje, ndërsa Vushtrria ka 12 fitore, 10 barazime dhe pesë humbje.