Lirohet Hysen Geci, pjesëtari i FSK-së, i përfshirë në vrasjen e 4 gushtit në “Rexhep Luci” të kryeqytetit

Një ngjarje tragjike ka ndodhur javë më parë në Prishtinë. Një person mbeti i vrarë dhe 17 ishin të lënduar pas gjuajtjes me armë në qendër të Prishtinës.

Njëri nga të arrestuarit i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në këtë rast, është liruar.

Pjesëtari i FSK-së, Gëzim Zakuku është liruar nga paraburgimi, ka konfirmuar për lajmi.net, avokatja e tij.

Avokatja, Teuta Beka Bunjaku, ka thënë se ai është liruar pasi është marrë në pyetje nga prokuroria.

“Po mund të ua konfirmoj se ai është liruar pasi është marrë në pyetje nga prokuroria”, u shpreh avokatja.

Gjykata Themelore në Prishtinë ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç) tre të dyshuarve Andi Pajaziti, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti, nën dyshimin për përfshirje në rastin e 4 gushtit në qendër të Prishtinës ku si pasojë e të shtënave me armë vdiq 39-vjeçari K.R.

Pajaziti dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, në kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Kurse, Gecaj dyshohet për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje”, “Mbajtja në pronësi, në kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kurse, i pandehuri Zakuti dyshohet për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje”.

Ndërsa, i dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht kishte njoftuar se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në këtë rasti, kanë të kaluar kriminale.

E, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e pati bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në qendër të Prishtinës.

Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njoftonte se 17 persona ishin lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra.

Rasti dyshohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve në lokalin “Bon Vivant” në kryeqytet.