Lladrovci i thotë dy fjalë për ambasadorin Martin Berishaj

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ndonëse ndodhet në Zvicër, ka dhënë një opinion për ambasadorin Martin Berishaj, i cili zgjoi interesim të madh në Kosovë dhe Slloveni ku përflitet si personazh i ndërmjetësimit të transfereve të parave nga një kompani serbe që merret me energjinë.

Pasi shfaq shqetësim duke uruar që sa më shpejt të dalë në shesh e vërteta, Lladrovci ka shkruar se “E tërë kjo, nëse është e vërtetë, është goditje për të gjithë neve. Është tronditëse. I besuam Martinit dhe e çmuam, si malësor të fjalës e përkushtimit atdhetar, si intelektual dhe kontribuues të madh për shkencën dhe çështjen kombëtare”.

Postimi i plotë:

Dy fjalë për Martinin

Me shqetësim mora vesh nga portalet se miku im Martin Berishaj ka bërë një ndërmjetësim financiar, ndërmjetësim sa i pabesueshëm, aq i dëmshëm.

E njoha nga rinia ime e hershme, në rrethet më të vendosura e më kontribuuese për çlirim, ishte me plotë besim dhe përkushtim për çështjen kombëtare. Ishte pjesë e shumë proceseve pozitive dhe me peshë për luftimin e okupatorit, nga ilegaliteti i hershëm e deri në luftën tonë çlirimtare dhe shtetndërtimin.

E njoha në proceset e rëndësishme për vendin dhe kombin. E njoha në dritën më të mirë.

E tërë kjo, nëse është e vërtetë, është goditje për të gjithë neve. Është tronditëse. I besuam Martinit dhe e çmuam, si malësor të fjalës e përkushtimit atdhetar, si intelektual dhe kontribuues të madh për shkencën dhe çështjen kombëtare.

Uroj sa më shpejtë të dalë në shesh e vërteta!