Lleshaj: 28 Nëntori na gjen të goditur fort, por jo të thyer. Flamuri i gjetur në rrënoja na jep forcë

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj është shprehur se 107-vjetori i Pavarësisë na ka gjetur të goditur por jo të thyer.

Leshaj publikoi edhe një foto të flamurit shqiptar të gjetur në rrënojat e gërmadhave ku u gjetën viktima e fundit në Thumanë.

Ministri shkroi në Fcaebook se ky flamur e largoi dhimbjen e përzishme dhe ktheu dritën e shpresës

Sandër Lleshaj:

28 Nëntori i sivjetëm na gjen të goditur fort, por jo të thyer.

Ky flamur, që u gjet pak minuta para mesnatës së mbrëmshme, shumë pranë viktimave të fundit të nxjerra nga gërmadhat në Thumanë, sikur i ndriçoi sytë dhe zemrat e heronjve shqiptarë, që edhe me thonj kanë gërmuar pa pushim për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej.

Ishte ky flamur, i nxjerrë nga rrënojat, që për pak çaste e largoi dhimbjen e përzishme dhe ktheu dritën e shpresës.

Le të jetë ky flamur, lutja jonë për shpirtrat e atyre që e lanë pas, si simbolin më të lartë që bën bashkë shqiptarët kudo që janë dhe mesazhi ynë për nderimin e Festës sonë kombëtare.

Rroftë Shqipëria!