Lufta me armikun që nuk po shihet

Shkruan: Lavdim Klinaku

Pandemia “Covid – 19”, një virus i ri, i pa parë e i pa dëgjuar më parë në historinë e njerëzimit, një armik që nuk po shihet, por që po bënë hatanë në botë. Ai, siç po merr jetë njerëzish, po shemb ekonominë e politikën, shkencën, kulturën e çka jo tjetër.

Virusi, goditje të fuqishme po i jep edhe fushës së arsimit në mbarë globin. Në gati 200 vende të botës mësimi është ndërprerë plotësisht. Afërsisht, numri i atyre që ndërprenë mësimin është 720 milionë nxënës e studentë. Të dhënat u dhanë para pak ditësh nga Banka Botërore dhe Unesco, me gjasë ky numër është rritur edhe më shumë.

Ndërprerja e mesimit, studimit, punës dhe e çdo gjëjë tjetër publike, po bëhej me qëllim karantinimi në mënyrë që të mos shpëndahej armiku i pa dukshëm- Corona Virus Disease.

Thuhej nga antika se, “E vetmja gjë, që kur shpërndahet, rritet, ëshë DIJA”, dhe si e tillë kishte mbijetuar kjo thënie shekuj të tërë. Por, dijës, tashmë ju bë edhe një shoqërues, është “Corona”, andaj, për të mos e rritur, po karantinohemi. Po, çfarë në të vërtetë do të thotë fjala karantinë? Në mesjetë, në shekullin XIV kur ra murtaja e zezë që mori gjysmën e popullsisë së Evropës (Njerëzit binin si miza, thoshte Konica), në Francë u ngriten spitale fushore ku njerëzit izoloheshin “Quaranta Giorni”, Dyzet ditë.

“Covid-19”, i takon familjes së virusëve me kurorë prej nga ka marrë edhe emrin. Pra, nga shkurtesat iniciale (Co- Corona, Vi- Virus edhe D –Disease, të lindura në 2019-ën).
Izolimi, natyrisht nuk mbeti e nuk do të mbes pa pasoja. Shumë sektorë filluan dorëzimin, siç, tashmë është ai i ekonomisë, pothuajse më i rëndësishmi, sepse ai është ekzistenciali. Punëtorët, me theks të veçantë ata të sektorit privat mbeten të shohin nëse dora e shtetit po shtrihej të paktën për t`i mbajtur gjallë.

Ai që është i pa dorëzueshëm dhe mundohet me çdo kusht të qëndroi në këmbë, është arsimi. Qeveria jonë, pothuajse si të gjitha qeveritë e botës organizoi mësim në distancë përmes hallkave zingjirore që i ka, që nga MASHT- i e deri tek nxënësi. Të dhënat e asaj të parës kanë treguar se mbi 90% e nxënësve janë përfshirë në këtë lloj mësimi, që nuk është ideal, por është për t`u lavdëruar në kuadër të rrethanave ekzistuese.

Shkoqitja e mësimit nga shkolla në shtëpi, më së shumti qe sfiduese për prindërit dhe familjarët e nxënësve. Ata u desh të bëheshin filloristë, historianë, gjeografë, kimistë, matematicientë e shumçka tjetër. Mirëpo, në gjithë këtë histori të trishtë, pati dhe po vazhdon të ketë një të mirë; kuptueshmëria e rëndësisë së mësimdhënësit, përkatësisht rëndësia e edukimit të nxënësit nga mësimdhënësi.

Humbjet nga ky virus mund të jenë të mëdha, vështirësitë mund të jenë të panumërta në këtë luftë, por asgjë mbi këtë tokë nuk është e përjetshme, andaj, RRI N`SHPI!