Lul Raka tregon se a po e raporton IKSHP-ja numrin e saktë të rasteve me koronavirus

Numri i të prekurve me Covid-19 në Kosovë është rritur dukshëm në javët e fundit.

Burime të Portali.info kanë thënë se brenda ditës në vendin tonë janë të prekur rreth 250 persona me koronavirus, por për arsye të mos futjes së panikës tek qytetarët, ky numër po shfaqet i përgjysmuar.

Në lidhje me këtë ka folur mikrobiologu i njohur, Lul Raka.

“Kjo nuk është e vërtetë, numri i të prekurve publikohet ashtu siç na dërgohet nga IKSHP-ja, nuk i fshehim as nuk ju bëjmë kozmetikë asgjë. Nuk kemi arsye për të bërë një gjë të tillë”, ka thënë Raka për Portali.info.

Tutje, ai ka thënë se trendi i numrit të të prekurve është shqetësues aktualisht, pasi që bazuar në rritjen e numrit të përgjithshëm të prekurve, do të rritet edhe numri i të hospitalizuarve dhe personave me oksigjen.

“Mos shfaqja e simptomave është normale. Gjithkund është duke ndodhur njëjte. 80% e personave të prekur nuk shfaqin simptoma, ose kanë simptoma të lehta. Virusi aktualisht nuk është dobësuar as në Kosovë dhe askund në botë, por është dobësuar sjellja dhe masat parandaluese”, ka thënë Raka.

Në fund, mikrobiologu i njohur ka folur edhe për deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka deklaruar se ‘nëse bëjmë më pak teste, atëherë do të ketë më pak të infektuar’.

“Kjo është shumë logjike, sa më i vogël të jetë numri i testeve, aq më i vogël do të jetë edhe numri i të infektuarve. Por sa më shumë raste që testohen, aq më shumë raste do të identifikohen dhe kjo bën mirë në menaxhimin e situatës, përndryshe del jashtë kontrollës”, ka përfunduar Raka.

Ai ka thënë se aktualisht në çdo vend të botës, testimet bëhen në varësi të kapacitetit.