LVV akuzohet se po zvarrit shpalljen e rezultateve, flet Albulena Haxhiu

0
152

Nesër bëhet një muaj që kur janë mbajtur në vend zgjedhjet parlamentare në vend, ndërsa ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve.

Ankesat e partive politike në Gjykatën Supreme janë parë si shkaku kryesor i vonesës së certifikimit të rezultatit zgjedhor.

Disa analistë në vend, kanë thënë se shtyrja e publikimit të rezultateve finale, po vjen si pasojë e ankesave të partive politike në Gjykatën Supreme.

Madje disa prej tyre patën hedhur dyshimet se Lëvizja Vetëvendosje po shtynë qëllimisht certifikimin e rezultatit zgjedhor.

Kjo parti dje sërish ka dërguar apel në Gjykatën Supreme për fletëvotimet e ardhura nga diaspora.

Por për kandidaten për deputete nga radhët e VV-së Albulena Haxhiu këto akuza janë të papranueshme.

Ajo në një prononcim për Periskopin tha se partia e saj nuk mund të qëndroj e heshtur siç tha ajo, karshi tendencave të KQZ-së dhe PZAP-së të cilat po cenojnë të drejtën e votuesve.

“Shpallja e rezultateve dhe certifikimi i tyre duhet të bëhet sa më parë në mënyrë që ti hapim rrugë konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë. Ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur karshi refuzimeve dhe tendencave të KQZ dhe PZAP për të cenuar të drejtën e votës dhe prandaj i jemi drejtuar Gjykatës Supreme, nuk mund të kalkulojmë përballë një trajtimi të padinjitetshëm të mërgatës sonë dhe përballë shkeljeve të madhe kushtetuese e cenimin e të drejtës së votës”, tha Haxhiu.

Haxhiu është shprehur e bindur se shpallja e rezultateve do të bëhet brenda kësaj jave.

“Shpallja e rezultateve do të bëhet brenda javës”, tha Haxhiu për Periskopin.

Kujtojmë se Gjykata Supreme kishte marrë vendim që të numërohen rreth 5 mijë votat e diasporës të ardhura me vonesë në Kosovë, ndërsa PZAP-i ka vendosur që nga 4639 mijë sa ishin gjithsej, 1806 fletëvotime të mos numërohen.