LVV po bën grushtshtet kundër institucioneve të Kosovës, thotë Humolli

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje tashmë deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Humolli, ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për mungesë në seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku po shqyrtohet një projektrezolutë për mbështetjen urgjente financiare për Policinë e Kosovës.

Sipas Humollit, partia në pushtet, gjatë fushatave elektorale ka ofruar vizionin e saj se do të sigurojë Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe se do të punojë në interes të vendit duke zhvilluar ekonomin e vendin duke qenë korrekt në raport me institucionet e Kosovës.

“Sot unë po e shoh një lloj grushtshteti, kam lexuar që grushtshtet bëhen nga pakica kundër shumicës, por sot është një grushtshtet që bëhet kundër institucioneve të Kosovës për shkak të mosrespektimit të Kuvendit nga shumica”, tha Humolli

Ai ka pyetur ligjvënësit e LVV-së të cilët po mungojnë në seancën për Policinë e Kosovës se apo fuqizohet apo dobësohet siguria e vendit me sjelljen të cilën po e bëjnë.

“Siguria e vendit tonë është duke u goditur, jo rastësisht ne kemi parë grupe diversant të Serbisë duke u futur për shkak se është parë se është duke u punuar për të goditur institucionet e sigurisë. Me mos investimi në sigurinë e vendit ne i çojmë një mesazh Serbisë”.

Sipas tij deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke rrezikuar Kosovën për shkak të mos-sjelljes korrekte të institucioneve.

Të enjten, ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës.

Për të dytën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës po shqyrtojnë propozim-rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës aktualisht janë të pranishëm disa deputetë të opozitës.

Ndërsa deputetët e mazhorancës e kanë bojkotuar sërish këtë seancë.

Seanca e njëjtë pati dështuar të mbahet javën që shkoi në mungesë të kuorumit, pasi që deputetët e pushtetit nuk morën pjesë në të.

Para fillimit të seancës, Grupi Parlamentar i LVV-së kishte bërë të ditur mospjesëmarrjen me arsyetimin se opozita nuk e ka hallin me Policinë, por me pushtetin.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, para fillimit të seancës, kishte thënë se tendenca e PDK-së nuk ka të bëjë me gjendjen e policisë, por me arsyetimin se kinse Qeveria nuk është duke u angazhuar sa duhet dhe synimi i tyre i vetëm është vetëm pushteti dhe jo interesi i shtetit./Albanianpost.com