Macron propozon barazi gjinore në postet kryesore të BE-së

Shefi francez i shtetit, Emmanuel Macron kërkoi sot sërish që të emërohen dy gra dhe dy burra si dhe të ketë një ekuilibër gjeografik për postet kryesore të pushtetit të Bashkimit Europian.

“Ka katër poste të pushtetit nën përgjegjësinë tonë. Për mua, duhen dy gra dhe dy burra dhe duhet që të ketë edhe personalitete nga Europa Lindore”, njoftoi ai pasi mbërriti në Bruksel për një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Europian për këto emërime.

Për presidencën e Komisionit Europian pritet të propozohet Frans Timmermans. Gjithashtu krerët e shteteve dhe të qeverive duhet të vendosin edhe për Presidentin e Këshillit, shefin e Diplomacisë Europiane dhe kreun e Bankës Qendrore Europiane./atsh