Mbi 103 mijë veta shkuan nga Kosova për dy javë nëpërmjet Aeroportit

Gjatë dyjavëshit të parë të vitit 2024, përkatësisht nga 1-15 janar, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë janë regjistruar 103.248 udhëtarë në shkuarje, apo 20.531 udhëtarë më shumë se dyjavëshin e parë të vitit 2023. Ndërsa ardhjet në Kosovë gjatë periudhës 1-15 janar 2024 kanë qenë 52.568, apo rreth 2000 udhëtarë më pak se në periudhën e njejtë të vitit të kaluar, bëjnë të ditur për Front Online zyrtarë për medie nga Aeroporti.

Nga Aeroporti “Adem Jashari” kanë bërë të ditura edhe statistikat e fundit, përkatësisht nga 1-18 janar 2024.

“Nga data 1-18 janar 2024 kemi rreth 20% fluturime më shumë dhe rreth 15% udhëtarë më shumë se sa në periudhën e vitit të kaluar. Përafërsisht 112 fluturime janë më shumë dhe rreth 23 000 udhetarë më shumë. Ky është një trend i zakonshëm i rritjes së numrit të udhëtarëve në Aeroportin tonë prej vitesh”, kanë potencuar zyrtarët e Aeroportit.

E nga agjencitë e fluturimeve kanë treguar për Front Online se rreth 50% është rritur kërkesa e qytetarëve për të udhëtuar.