Mbi 16 mijë mësimdhënës dhe 21 mijë infermierë janë vaksinuar në Kosovë

Mbi 1.3 milionë është numri i dozave të vaksinave anti-COVID që janë administruar në Republikën e Kosovës, që nga fillimi i fushatës së imunizimit ndaj këtij virusi.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, më së shumti persona që kanë marrë vaksinën anti-COVID-19, janë deklaruar si amvise, ndërkaq në vendin e dytë janë pensionistët.

Të dhënat tregojnë se në Kosovë me të paktën një dozë të vaksinës janë imunizuar 16 mijë e 349 mësimdhënës dhe 21 mijë e 686 infermierë.

Në listën e MSH-së, për të vaksinuarit në bazë të profesionit në dhjetë vendet e para janë: amviset, të pensionuarit, studentët, të papunësuarit, punëtorët, ekonomistët, infermierët, punëtorët e rastit, mësimdhënësit e të tjerë.

Sipas të dhënave të publikuara nga “Our World in Data”, Kosova ka lënë pas të gjitha vendet e rajonit, sa i përket vaksinimit të popullsisë, ku tashmë 45 për qind e popullsisë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës anti COVID-19.

Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina qëndrojnë të gjitha pas Kosovës në këtë listë.

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, spt ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë dhënë 14.149 doza të vaksinës kundër COVID-19.

“Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.357.810 doza të vaksinës. Deri më sot 551.601 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Nga 3.327 testime, 56 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19”, njofton MSH.