Mbi 450 mësimdhënës padisin Drejtorinë e Arsimit në Prizren

Mësimdhënësi R.B. ka paditur Drejtorinë e Arsimit në Prizren. Ai kërkon kompensimin e shujtës ditore në punë, siç parashihet në Kontratën Kolektive të Arsimit në Kosovë.“Po kam bërë padi për kompensim të shujtës, sepse na garanton ligji”, tregon ai, i cili nuk pranon t’i publikohet emri i plotë në publik.Beson se gjykata, do të vendosë në favor të tij.

“Institucionet është dashur që të respektojnë dhe respektojnë Kontratën Kolektive, e jo të na detyrojnë të drejtën tonë ta kërkojmë në gjykatë”, shprehet ai.

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, vetëm në periudhën janar-tetor të këtij viti, janë dorëzuar 465 padi nga mësimdhënësit e shkollave të kësaj komune.Prej tyre, 285 padi janë për shuajtje ditore, kurse 180 për paga jubilare.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj, tregon se janë gjykuar lëndë të kësaj natyre në këtë gjykatë.

“Në Gjykatën Themelore të Prizrenit në periudhën janar-tetor të vitit 2019, në procedurën gjyqësore gjenden në procedim gjithsej 180 lëndë, sa i përket pagave jubilare, ndërsa 285 lëndë kanë ardhur sa i përket shujtës ditore, prej të cilave në procedurën jokontestimor janë gjithsej 42 lëndë të pagave jubilare, ndërsa 18 lëndë të shujtës ditore”, tregon Kicaj për “PrizrenPress”.

“Në procedurën e përmbarimit në procedim e sipër janë 138 lëndë, sa i përket pagave jubilare, ndërsa sa i përket shujtës ditore kanë arritur në gjykatë 267 lëndë, prej të cilave një pjesë e tyre janë të përfunduara, ndërsa pjesa tjetër është në procedim e sipër”, shprehet ajo.

Juristja Valbonë Morina, përfaqëson disa lëndë të kësaj natyre. Ajo tha se mësimdhënësit kanë të drejtë t’i kërkojnë të drejtat e tyre që garantohen në Kontratën Kolektive të Arsimit në Kosovë.

“ I përfaqësoj disa lëndë të kësaj natyre. Këtë të drejt mësimdhënësve jua garanton Kontrata Kolektive”, tha Morina.Kontratën Kolektive të Arsimit në Kosovë është nënshkruar në vitin 2014, në mes ish-ministrit të Arsimit, Ramë Buja dhe kryetarit të Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jashari.

Në këtë kontratë, parashihet që mësimdhënësve t’ ju u sigurohet edhe kompensimi i ushqimit gjatë punës.Vlera e kompensimit të shpenzimit të ushqimit për një ditë pune është 2 euro.Kontrata ka hyrë në fuqi në vitin 2017.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Lis Dorambari tha se Qeveria e Kosovës për asnjë komunë nuk ka ndarë buxhet .

“Lidhur me pagat jubilare dhe shujtat ditore të mësimdhënësve, fillimisht duhet të dijmë se problemi ka rrjedhur nga Kontrata Kolektive mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me Sindikatën e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, e cila parasheh pagesën e tyre, por që për këtë asnjë Komunë në Kosovë nuk ka pasur buxhet të ndarë nga Qeveria për trajtimin e rasteve të tilla”, tha Dorambari, për “PrizrenPress”.

Sipas tij, Komuna në mungesë të buxhetit ka bërë prapësim të lëndëve.“Rrjedhimisht, Komuna për shkak se nuk ka buxhet të ndarë për trajtimin e këtyre çështjeve, të njëjtat i ka prapësuar në procedurë përmbarimore-gjyqësore si dhe ka bërë padi ndaj Inspektoratit të Punës pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke e vlerësuar si të arsyeshëm konfliktin administrativ”.

“Rastet po trajtohen veç e veç secila dhe Komuna do të veprojë sipas vendimeve që do të dalin nga ana e gjykatës”, tha Dorambari.