Mbi 62 për qind e qytetarëve janë vaksinuar me dy dozat kundër COVID-19 në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se mbi 62 për qind e qytetarëve të moshës madhore janë vaksinuar me të dy dozat kundër COVID-19, ndërkaq më shumë se 70 për qind e qytetarëve të kualifikuar kanë marrë të paktën një dozë.

“Më shumë se 70% e qytetarëve të kualifikuar kanë marrë të paktën një dozë, ndërsa mbi 62% e qytetarëve të moshës së rritur janë plotësisht të vaksinuar, dhe nivelet tona të vaksinimit janë ndër më të lartat në rajon”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie në Facebook.

Kjo ministri në faqen e saj në Facebook ka ndarë edhe një fotografi të dozave të para që kanë arritur në Kosovë në mars të vitit të kaluar, me ç’rast shprehën falënderim për profesionistët shëndetësorë, vullnetarët dhe partnerët që sipas tyre kanë kontribuuar të ketë përparim në këtë aspekt.

“Kjo foto është e marsit 2021, kur dozat e para të vaksinës COVID-19 arritën në Kosovë. Që nga ajo kohë, muajve në vijim, falë profesionistëve shëndetësorë, vullnetarëve dhe partnerëve ne kemi bërë shumë përparim”.

“Ne duam të falënderojmë të gjithë ata që kanë ndihmuar për ta bërë të mundur. Por duhet ende të vazhdojmë”, thuhet tutje.

Ndërkaq kanë kërkesë për ata që ende nuk janë vaksinuar të lajmërohen në qendrën më të afërt të vaksinimit dhe pas tre muajsh kur imunizohen me dozën e dytë të kujdesën që të marrin edhe dozën përforcuese.

“Bashkë ia dalim, andaj, nëse një nga të dashurit tuaj nuk është vaksinuar ende, bisedoni me ta dhe shikoni nëse mund të ndihmoni. Le t’i bëjmë ato shifra edhe më të larta dhe le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të mposhtur këtë pandemi”.