Mbrojtjes i zgjatet afati deri më 24 prill të përgjigjet në mocionin e Prokurorisë

Trupi gjykues ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, të mbështetur nga mbrojtja e Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke zgjatur afatin për përgjigje nga ana e mbrojtjes deri më 24 prill 2023, ndaj mocionit të Prokurorisë për pranimin e deklaratave të të akuzuarve.

Paraprakisht, në fillim të seancës së të hënës, mbrojtësi Thaçit, avokati Gregory Kehoe ia ka rikujtuar trupit gjykues kërkesën e dorëzuar në mëngjesin e kësaj dite.

Ndërkaq, gjykatësi Charles Smith III kishte paralajmëruar se do të japë urdhër me gojë lidhur me këtë çështje gjatë ditës së sotme.

Mbrojtja, me anë të kësaj kërkese ka kërkuar shtyrjen e afatit, i cili ka qenë deri më 17 prill 2023, duke e cilësuar si kohë të pamjaftueshme për përgjigje.

Lidhur me këtë kërkesë, ZPS gjatë kësaj seance ka paraqitur kundërshtime, duke thënë se kjo është një kërkesë e bërë me vonesë.

Prokurori James Pace tha se megjithatë pasi që kanë parë kërkesën, nuk konstatojnë ndonjë gjë që mund të ishte ngritur më përpara, duke thënë se është një kërkesë që nuk është e nevojshme të pranohet.

“Trupi gjykues ka shqyrtuar kërkesën për një periudhë, që prej një periudhe të gjatë kohore, kështu që nuk është e nevojshme që të pranohet apo të miratohet kërkesa e mbrojtjes së z. Thaçi”, tha ai.

Gjykatësi Smith tha se mbrojtja e Thaçit këtë parashtresë është dashur ta bëjë në momentin kur e kanë kuptuar se nuk mund të japin përgjigje dhe jo në momentin e fundit.

Ndërkaq, gjykatësi Smith para se të vazhdohej me dëgjimin e dëshmitarit të dytë tha se personi i cili është përgjegjës për dëshmitarin duke bërë pyetje, ka të drejtë të bëjë edhe komente duke shtuar se “ne nuk duam persona të ndryshëm që jep komente”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, para pushimit të drekës nga ana e mbrojtjes janë dorëzuar dy materiale të rishikuara me përkthime adekuate si prova materiale, të cilat nuk janë kundërshtuar nga ZPS dhe janë pranuar nga trupi gjykues.

Seanca është duke vazhduar në sesion privat.